Jonuz Musliu

U lind më 5 janar 1959, në fshatin Konçul, komuna e Bujanocit.

Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Bujanoc. Studimet universitare i mbaroi në Fakultetin e Biologjisë në Shkup.

Jonuz Musliu emrin e tij e trashëgoi nga gjyshi i tij, me të cilin e emëroi babai i tij Tefiku i cili u rrit jetim, sepse babain Jonuzin (gjyshin) e pushkatuan në moshë të re regjimi serbo-sllav në vitet e 40-ta.

Jonuz Musliu, në vitet e 80-ta filloi me celulat e para të ilegalitetit në Zvicër, ndërsa në vitin 1983 u burgos me motive politike, ku në burgun e Nish-it qëndroi rreth 7 vite. Pas daljes nga burgu ai e vazhdoi idealin dhe veprimtarinë e tij kombëtare, duke u angazhuar me vetmohim në shumë çështje të organizimit për lirinë dhe çlirimin e trojeve shqiptare.

Këtë ideal e shfaqi edhe me angazhimin e tij në referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për bashkangjitjen administrative të territorit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës.

Ishte luftëtar i UÇK-së i rradhitur në brigadën 171 “Kadri Zeka” në Zonën Operative të Karadakut, ku me dashurinë sublime ndaj atdheut i kontriboi çlirimit të atdheut nga okupatori serb.

Pas luftës u angazhua si oficer i TMK-së.

Ndërsa duke e parë realitetin e ri i cili u krijua në Luginë të Preshevës, që ai me bindje dhe në vazhdimësi e artikulonte si Kosovë Lindore, u angazhua për organizimin e betejave të reja për liri dhe çlirim.

Gjatë vitit 1999-2000, në Luginë filloi diskriminimi dhe dhuna ndaj popullsisë shqiptare, ku ndodhën mbi 11 vrasje dhe kidnapime, fati i të cilave edhe sot e kësaj dite nuk dihet.

Jonuz Musliu me bashkëveprimtarët themeluan Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), të cilën e drejtoi si udhëheqës politik i saj.

Me 26 janar 2000, forcat serbe vranë dy vëllezërit Saqipi nga fshati Dobrosin, ndërkohë në varrimin e tyre, Jonuz Musliu lexoi publikisht deklaratën për organizimin e UÇPMB-së, duke theksuar se: “E vetmja rrugë e nderit, është rruga e qëndresës dhe organizimit”.

Me këtë moto, i motivoi ushtarët dhe popullatën të cilët ishin mes frikës dhe panikës se çfarë do të ndodhte në këto troje.

Me rrethanat e krijuara dhe duke u përballë me realitetin politik, Jonuz Musliu udhëhoqi delegacionin për negociatat deri në Marrëveshjen e Konçulit e cila u arrit me 20 maj 2001.

Pas luftës së UÇPMB-së, Jonuz Musliu u organizua edhe politikisht, ku i doli në ballë interesave kombëtare shqiptare dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë, duke themeluar partinë Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) të cilën e udhëheqi deri në vdekjen e tij.

Gjatë veprimtarisë së tij politike, Jonuz Musliu ishte në detyra dhe funksione të ndryshme, fillimisht si Këshilltarë i Kuvendit Komunal të Bujanocit, më pastaj Zëvendës Kryetar i Komunës së Bujanocit, Kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, si dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa në disa seanca ka udhëhequr Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Jonuz Musliu gjatë gjithë kohës u angazhua për mbrojtjen e shqiptarëve, të drejtave të tyre kombëtare, përdorimin e flamurit kombëtar në institucionet publike, përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në Luginë, përdorimin e teksteve shqipe në shkollat shqipe e të tjera aspekte që kishin karakter kombëtar.

Jonuz Musliu në vazhdimësi luftonte për përdorimin e teksteve mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Serbia gjatë gjithë kohës e refuzonte përdorimin e teksteve në gjuhën shqipe, ndërsa Jonuz Musliu organizoi edhe protesta të cilat kishin si motiv vetëdijësimin për këtë problem me të cilin po përballeshin shqiptarët. Në një kohë kur qeveria e Kosovës në kuadër të Ministrisë së Arsimit kishte dhuruar disa libra në gjuhën shqipe, autoritetet serbe i kishin bllokuar në kufi, dhe Jonuz Musliu me bashkëveprimtar kishin organizuar protesta, dhe në vitin tjetër në vizitën që i bënte Kryeministri i atëhershëm Vuçiqi, fakultetit Ekonomik në Bujanoc, kur e morri fjalën kryeministri, Jonuz Musliu doli brenda turmës së publikut, u ngrit në këmbë dhe me vendosmëri e pengoi fjalimin e kryeministrit duke i thënë se ju po na hapni fakultete, ndërsa nxënësit tanë në shkollë fillore dhe të mesme nuk kanë tekste se si të lexojnë e as të mësojnë. Me këtë veprim Jonuz Musliu e theu heshtjen për këtë problematikë duke i thënë se ne duam libra shqip në shkollat tona.

Jonuz Musliu ishte një veprimtar i madh i çështjes kombëtare, kishte respekt të veçantë për gjithësecilin që kishte kontribuar në çështjen kombëtare, e më të veçantë e kishte për familjet e dëshmorëve dhe veteranët e luftës.

Jonuz Musliu, kudo që ishte, fliste për të drejtat kombëtare, ishte një njeri që flijonte veten dhe familjen e tij, për të arritur edhe qoftë diçka të vogël në aspektin kombëtar.

Ai gjatë gjithë jetës jetoi në vendlindjen e tij në fshatin Konçul, ishte i martuar me Zejnepen dhe kishin tre djem, Fatlumin, Shqiprimin dhe Sarandin.

Jeta e tij ishte e mbushur me plot sfida, ku ideali i tij madhor ishte bashkimi i trojeve të Luginës me trungun e saj, Kosovën.

Jetoi me këtë betejë, por vdekja e mori pabesisht, në një natë të ftohtë janari, më 18 janar të vitit 2018.

I mbylli sytë duke flijuar gjithçka për këtë tokë, e duke dhënë gjithçka që kishte për këtë vend. Amaneti i tij po trashëgohet nga bashkëveprimtarët, por zëri i tij i fuqishëm, po mungon edhe sot e kësaj dite në Luginë të Preshevës.