Platforma politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës (Preshëve, Bujanoc dhe Medvegjë) në seancën e mbajtur më 14 janar 2006, në Preshevë:
- Duke qenë të vetëdijshëm se popullata shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (Lugina e Preshevës), po përballet me çështjen e pazgjidhur të statusit të vet politik,
- Duke u angazhuar për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar,
- Duke u angazhuar për format e integrimit gjithëshqiptar, në kuadër të trendeve për integrime evropiane dhe euroatlantike,
- Duke pasur parasysh se format e deritanishme të organizimit territorial nuk kanë ofruar mundësi adekuate për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës,
- Duke u angazhuar për bashkimin dhe përqendrimin e fuqisë politike në zgjidhjen e këtyre çështjeve,
- Duke u bazuar në aktivitetin e deritanishëm politik dhe rezistencën e armatosur të shqiptarëve të këtij rajoni,
- Duke gjetur mbështetje të këtyre kërkesave në dokumentet ndërkombëtare (OKB, OSBE, KE), që garantojnë të drejtat e individuale dhe kolektive,
MIRATUAN KËTË:
PLATFORMË POLITIKE
- PARIMET:
Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën më të rëndësishme të përcaktimit të subjektivitetit të saj politiko-juridik, kur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike, subjektet shqiptare në Luginë të Preshevës shohin nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete dhe të koordinuara për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të këtij rajoni në frymën e proceseve integruese që po zhvillohen në Evropë;
Këshilltarët shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (në tekst të mëtejmë këshilltarët), konsiderojnë se derisa nuk bëhet një zgjidhje e drejtë e çështjes së shqiptarëve të Luginës, rajoni do të vazhdojë të mbetet vatër e krizës permanente dhe pengesë për integrime euroatlantike;
Këshilltarët kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve të Luginës të garantohen në kuadër të komuniteteve ku ato përbëjnë shumice absolute në rajon (Ballkan Perëndimor), duke u angazhuar për krijimin e lidhjeve speciale të Luginës së Preshevës me Kosovën;
Në frymën e këtyre vlerave duke gjetur mbështetje në dokumentet fundamentale që institucionalizojnë mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive, siç janë:
- Karta e OKB-së,
- Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut,
- Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike,
- Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore,
- Konventa kornizë evropiane për të drejtat e pakicave,
- Konventa evropiane për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,
- Karta evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave,
Dokumentet e OSBE-së, prej të cilave veçojmë:
- Sugjerimet nga Lundi, Osllo dhe Haga,
- Aktin final të Helsinkit 1975
- Karta e Parisit për Evropën e re 1990,
- Dokumentin nga Kopenhaga – Dimensioni njerëzor,
- KËRKESAT E VEÇANTA
Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes së Luginës së Preshevës nënkupton respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve përmes zgjidhjes së drejtë të çështjeve si:
- Këshilltarët mbrojnë qëndrimin se Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo-territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, ambientit ekologjik, resurseve natyrore, sferës së banimit, shërbimeve sociale;
- Të bëhet decentralizimi i pushtetit dhe transferimi i kompetencave prej nivelit qendror në nivelin e veatadministrimit lokal dhe rajonal, institucioneve tjera shtetërore e posaçërisht në sistemin gjyqësor ku duhet krijuar Gjykatën e Qarkut, Gjykatën Tregtare, Këshillin për kundërvajtje me kompetencë territoriale për këtë rajon;
- Të bëhet çmilitarizimi i plotë i Luginës së Preshevës dhe largimi i bazave militante ekzistuese si dhe atyre në ndërtim;
- Çështja e sigurisë publike të jetë në kompetencë ekskluzive të policisë multietnike dhe strukturave të saj komanduese;
- Zhvillimi ekonomik i rajonit përmes krijimit të kushteve lehtësuese të kreditimit të ndërmarrjeve të vogla apo të mesme, tërheqjes së kapitalit të huaj, krijimit të qendrave të biznesit me krijimin e Zonës së Lirë Tregtare, bashkëpunim ndërkufitar në kuadër të projekteve me donatorët ndërkombëtarë;
- Privatizimi i ndërmarrjeve ekzistuese shoqërore të bëhet me krijimin e kushteve të barabarta të pjesëmarrjes; Sistemi arsimor në Luginë të Preshevës të harmonizohet me sistemin arsimor të Kosovës, konform standardeve evropiane për arsim,
- Integrimi proporcional i shqiptarëve në strukturat e pushtetit lokal dhe rajonal në të gjitha institucionet shtetërore e publike të të gjitha niveleve;
- Aplikimi zyrtar i gjuhës shqipe në institucionet e vetadministrimit lokal, institucionet shtetërore dhe ato publike të të gjitha niveleve;
- Përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare të shqiptarëve, si dhe e drejta e shënimit publik të datave të rëndësishme nga historia kombëtare;
- Themelimi i institucioneve për shprehjen, ruajtjen, avancimin e vlerave kulturore, informative, fetare dhe tradicionale, specifike për shqiptarët;
- Krijimi i institucioneve të veçanta për mbrojtje sociale të shtresës së rrezikuar të popullatës;
- Zhvillimi i institucioneve ekzistuese shëndetësore për mbrojtje primare të popullatës dhe krijimi i mundësisë për mbrojtje sekondare shëndetësore të popullatës së Luginës së Preshevës përmes ndërtimit të një spitali për këto komuna;
- Kthimi i qëndrueshëm i popullatës së zhvendosur përmes kompensimit të dëmeve në pasuritë e tyre, zhvillimit të infrastrukturës rrugore, shëndetësore dhe arsimore;
- Të bëhet respektimi i plotë i Ligjit për Amnistinë (Fl. zyrtare e RFJ-së 37/2002 të 3.07.2001) e ish- pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe ndërprerja e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve, lirimi i të burgosurve politikë;
- Ndërprerja e fushatës së frikësimit me dërgimin e ftesave për shërbim ushtarak të të rinjve shqiptarë;
- Ndriçimi i vrasjeve të civilëve në periudhën 1999-2001;
- Trajtim adekuat të diasporës shqiptare të këtij rajoni nga institucionet vendore përmes ruajtjes së lidhjeve të saj me vendlindjen, me jetën, me zakonet, me gjuhën dhe kulturën e tyre si dhe të inkurajimit për investimin e kapitalit të tyre në rajon;
- Për realizimin e qëllimeve të sipërshënuara këshilltarët shqiptarë shtrojnë nevojën e krijimit sa më të shpejtë të organit të përbashkët reprezentues – Këshillin Nacional.
III. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik-territorial-kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.
14 janar 2006, Preshevë
Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës
(Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë)