
Duke pranuar se situata aktuale e sigurisë dhe mjedisi i përgjithshëm në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është i paqëndrueshëm dhe një pengesë për paqen dhe stabilitetin në rajon,
Duke pasur parasysh se banorët etnikë shqiptarë të komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë duruar me vite diskriminimin dhe persekutimin nga qeveritë e mëparshme të Serbisë dhe RFJ-së,
Duke rikonfirmuar arsyet se pse u detyruam të merrnim armët që përfshinin keqtrajtimin tonë nga autoritetet e mëparshme jugosllave, largimin tonë nga institucionet qeveritare dhe margjinalizimin nga jeta e përditshme civile në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe mohimin e të drejtave tona themelore të njeriut përfshirë të drejtat kulturore, kombëtare, sociale, politike dhe ekonomike,
Duke i bërë thirrje qeverive serbe dhe të RFJ-së që të korrigjojnë politikat e regjimit të Millosheviqit dhe të integrojnë shqiptarët etnikë dhe të gjitha pakicat etnike në strukturat qeveritare, qytetare dhe ekonomike,
Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes midis familjeve dhe miqve shqiptarë etnikë që jetojnë në Kosovë dhe komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, dhe nevojën për të ruajtur lirinë ndërkufitare të lëvizjes për të gjithë individët,
Duke kërkuar që Forcat e Përbashkëta të Sigurisë Serbe t’i trajtojnë shqiptarët me dinjitet dhe respekt dhe të përmbahen nga marrja e shtëpive dhe pronave personale,
Duke vënë në dukje përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Z.Pieter Feith, Shawn Sullivan dhe Wayne Porter, për të lehtësuar një zgjidhje paqësore të krizës,
Duke pranuar se Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ka arritur të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare ndaj shqiptarëve etnikë të varfër në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe se ka ardhur koha për të zbardhur armët tona dhe për të kërkuar ndryshim me mjete politike,
Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me këtë,
Angazhohet vetë për t`u çmilitarizuar plotësisht, çmobilizuar, çarmatosur dhe shpërndarë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare (sipas orarit të mëposhtëm: Zona B në jug 22 maj, Zona B në qendër në 30 maj, Zona B në veri nuk është nën kontrollin e UÇPMB)
Kërkon të luftojë për të drejtat e shqiptarëve etnikë përmes procesit politik dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të qeverive të reja serbe dhe RFJ-së,
Garanton një hyrje të sigurt dhe paqësore në Sektorin B për Forcat e Përbashkëta të Sigurisë Serbe,
I bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverive serbe dhe të RFJ-së që të mbajnë angazhimet e tyre ndaj bashkësisë etnike shqiptare në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, siç është detajuar në Programin serb për zgjidhjen e krizës në Serbinë Jugore dhe siç është theksuar në deklarata të bëra nga OSBE, NATO, BE, UNHCR dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare, për të lehtësuar integrimin tonë në jetën civile,
Kërkon që qeveritë serbe dhe të RFJ-së të respektojnë programin e saj të propozuar të amnistisë që shtrihet tek të gjithë anëtarët e UÇPMB-së të cilët vullnetarisht lëshojnë armët dhe pushojnë aktivitetet e tyre,
Kërkon krijimin e një force policore multi-etnike për të garantuar sigurinë e shqiptarëve etnikë,
Kërkon nga KFOR-i që të vihet në dispozicion për të marrë armët dhe uniformat e UÇPMB-së për shkatërrim në pikat kryesore të kontrollit kufitar,
Kërkon nga përfaqësuesit e NATO-s dhe EUMM të ndihmojnë, monitorojnë dhe verifikojnë procesin tonë të çmilitarizimit,
Për Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,
Shefqet Musliu, Komandant
Konçul, 20 maj 2001
Dëshmuar,
Shawn F.Sullivan
Shefi i Zyrës së NATO -s në RFJ
Teksti i cili njofton Përfaqësuesin personal të Sekretarit Gjeneral të NATO-s, z.Pieter Feith, mbi pranimin e “Deklaratës së Demilitarizimit (Marrëveshjes së Konçulit)” nga ku konfirmohet “Amnestia” dhe është nënshkruar nga pala serbe, më 21 maj 2001 nga Kryetari i Trupit Kordinues, Komandanti i Forcave Jugosllave dhe Komandanti i Policisë
rr. e Kosovës 54;
ul. Kosovska 54 17520
Bujanovc, Serbia

