Ëndrrën për bashkimin me Kosovën nuk mund të na e shuaj askush.
Ajo nuk është vetëm dëshirë, por është fryma jonë, është shpresa jonë për të mbijetuar si shqiptarë në këto troje ku rrënjët tona janë më të thella se çdo kufi i vendosur padrejtësisht mbi këtë tokë.
E dikush duhet të mbajë përgjegjësi për heshtjen ndaj dhimbjes sonë. Dikush duhet të flasë e të dëgjojë për padrejtësitë që po ndodhin çdo ditë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, aty ku të jetosh si shqiptar është një sfidë që të ndjek çdo ditë që nga lindja e deri në perëndim të diellit.
Ne jetojmë me ndjenjën e mohimit.
Na mohojnë të drejtën për të qenë pjesë e institucioneve, për të pasur vendin tonë në polici, në gjykata, në kadastër, në shëndetësi, e në institucione vendimmarrëse.
Madje, na përjashtojnë nga çdo proces që prekë dinjitetin njerëzor. Edhe kur japim më shumë, na kthehet më pak. Edhe kur duam paqe, përballemi me mure.
Në Bujanoc, ku shumica e qytetarëve janë shqiptarë, përpiqen me çdo kusht e çdo mjet të ndryshojnë demografinë.
Akuzojnë çlirimtarët tanë, e nuk i njohin diplomat tona, dhe përpiqen ta shlyejnë identitetin tonë me heshtjen që vret.
Por ka diçka që nuk mund ta shuajnë dot: shpirtin shqiptar.
Sepse brenda nesh është një vullkan që përgjon çdo ditë për shpërthim. Është ndjenja e padrejtësisë që na gërryen, por edhe dashuria për tokën që na mban gjallë.
Mbi të gjitha, Kosova dhe Shqipëria nuk mund të jenë më spektatore të kësaj drame kombëtare.
Për ne, bashkimi nuk është politikë ditore, por është jetë a vdekje.
Sot, të jesh shqiptar në Shqipëri apo në Kosovë është krenari.
Por të jesh shqiptar në Preshevë, Bujanoc apo Medvegjë është sakrificë.
Është çdo ditë përballje me padrejtësinë, çdo frymëmarrje një rezistencë, e çdo hap një qëndresë.
Dhe megjithatë, ne nuk do të dorëzohemi.
Sepse jemi bij të kësaj toke, dhe toka e nënës nuk braktiset.
Bashkimi nuk është një ëndërr e kahmotshme, por është drejtësia që na takon.
Dhe ajo ditë do të vijë!
Shkruan: Shqiprim Musliu, Kryetar i LPD-së


